Në ditën e parë të qëndrimit në Stamboll, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi dje dhe vendosi lule të freskëta te varri i Sami Frashërit.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se vizitën e tij te varri, Kurti e realizoi pikërisht në datën e lindjes së Sami Frashërit, e pranë së cilit pushojnë gruaja, Emine Veliye dhe djali i tij, Ali Sami Yen.
“Herën e fundit për vizitë dhe homazhe te varri i Sami Frashërit, kryeministri Kurti ishte në vitin 2019. Sivjet, me 18 qershor, bëhen 120 vjet nga vdekja e rilindasit, Sami Frashëri, si dhe 125 vjet nga vepra e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të cilën Kurti gjatë vizitës në Qendrën Kulturore Shqiptare atje që mban emrin e rilindasit, tha se është një gjë shumë e rrallë që një vepër, e cila ka një shekull e një çerek shekulli, të jetë aq aktuale kushdo që e lexon, dhe se si e tillë, ajo duhet të lexohet e rilexohet, mësohet e studiohet nga të gjithë shqiptarët.
Kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe Ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi.