Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se pasaporta e Kosovës, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit.
Ai ka theksuar se “viti 2024 është viti i pasaportës së Kosovës”.
“Ajo [pasaporta] renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave, është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit, dhe me të sot mund të udhëtojmë në 38 vende të botës më shumë sesa në vitin e kaluar”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se qytetarët tashmë lëvizin lirshëm dhe të padiskriminuar, pa pasur nevojë të presin para dyerve të ambasadave për të marrë vizë për udhëtime afatshkurtra në shumë shtete.
“Qytetarët tanë tashmë lëvizin lirshëm dhe të pa diskriminuar, pa pasur nevojë të presin para dyerve të ambasadave për të marrë vizë për udhëtime afatshkurtra në shumë shtete. Me liberalizim të vizave, me njohje të pasaportës sonë edhe nga shtete mosnjohëse, po e afrojmë Kosovën, me Evropën dhe përtej”, ka shkruar ai në Facebook.