Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Pejës.
Vizitën e tij, kryeministri Kurti e filloi në Qendrën Nacionale të Xhudos, ku u mirëprit nga kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka dhe ekipi kampion i xhudistëve. Në këtë takim, ata i prezantuan kryeministrit projektin e zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos si pjesë e programit “Kosova, shtet i Xhudos”.
“Ndalesën e radhës, kryeministri Kurti e pati te Kulla e Ministerit, e cila ka një arkitekturë e stil të veçantë, dhe e cila po restaurohet në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vazhduar në Çarshinë e Gjatë, e cila përkundër shkatërrimit masovik nga forcat serbe është rindërtuar. E më pas, vizita vazhdoi në dyqanin qindravjeçar të briskpunuesit Musa Gorani, i cili është restauruar dhe funksionalizuar falë mbështetjes direkte të Qeverisë”, njoftoi Kryeministria.
Përmbylljen e vizitës së tij në qytetin e Pejës, Kurti e bëri me vizitën në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, ku u takua me drejtuesit e Anibarit dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të animuar, i cili, sipas kryeministrit, zë një vend të rëndësishëm në skenën e artit, duke promovuar diversitetin dhe kulturën tonë përmes filmave të animuar e shumë programeve të tjera.
“Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetët Gramos Agusholli, Fatmire Kollçaku dhe Ardian Gola”, thuhej në njoftim.
Tutje, thuhej se në këto dy vite janë zhvilluar projekte të shumta të restaurimit në rajonin e Pejës dhe po punojmë që ky potencial të shndërrohet në mirëqenie për qytetarët.