Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, të premten vizituan Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) rreth dy muaj para nisjes së regjistrimit të popullsisë.
Kurti me këtë rast ka thënë se statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë.
“Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Tutje Kurti ka thënë se i ka ofruar mbështetje të plotë ASK-së në realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë me standardet e kushtet teknike të nevojshme.
“Përkushtim i lartë, energji dhe vullnet nevojiten për ta planifikuar e zhvilluar me sukses regjistrimin e popullsisë, në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qasshme për të gjithë qytetarët tanë, nga të gjitha komunitetet e në secilin lokalitet. Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e plotë të Qeverisë ndaj ASK-së, në realizimin e procesit me standardet e kushtet teknike të nevojshme, duke ofruar dhe gatishmëri të plotë të ndihmojë sa i përket sfidave e nevojave të ndryshme”, thuhet tutje në komunikatë.