Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me disa prej deputetëve të kabinetit qeveritarë kanë vizituar familjen Jashari me rastin e vdekjes së Havë Jasharit, motrës së Adem dhe Hamëz Jasharit.
Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Havë Jasharit, teksa ka thënë se do të kujtohet me mall dhe admirim për dashurinë dhe përkushtimin e madh ndaj familjarëve të saj.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe drejtues të Policisë së Kosovës, vizitoi për ngushëllime familjen Jashari, me rastin e ndarjes nga jeta ditën e djeshme të Havë Jasharit, motrës së komandantit legjendar, Adem Jashari e Hamëz Jasharit”, thuhet në njoftim.
Ata janë mirëpritur nga Rifat Jashari dhe anëtarë tjerë të familjes.
“Aty u mirëprit nga Baca Rifat, vëllai i të ndjerës, dhe anëtarë tjerë të familjes, të cilëve kryeministri Kurti u shprehu ngushëllime të sinqerta për humbjen e më të dashurës së tyre, Havë Jashari-Gashi, që do ta kujtojmë gjithmonë me mall dhe admirim për kujdesin, dashurinë dhe përkushtimin e madh e të pashtershëm për familjarët dhe miqtë e saj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.