Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën e dy tetorit ka vizituar asetet e restauruara të trashëgimisë kulturore.
Për të parë nga afër zbatimin e programit për ndërhyrje restauruese në asetet e trashëgimisë kulturore, Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan kullën e Sheremetit në Pejë, nga shekulli XVIII, kullën e Tahirsylajve në Isniq të Deçanit, rreth 170 vjet e vjetër, Hanin e Haraqisë në Gjakovë, shekulli XVII, si dhe Muzeun etnografik në Gjakovë, shekulli XIX.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/10/Screenshot_2-2.png)
Gjatë vizitave në monumentet e restauruara u theksua se për vitin 2022 është planifikuar buxhet prej 8.4 milionë eurosh.
“Prej të cilave një milion euro janë për ndërhyrje emergjente”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.
Po ashtu, sipas njoftimit, është theksuar që restaurimet përcillen me plane menaxhimi dhe funksionalizim të monumenteve.
“Përveç ndërhyrjeve restauruese në asetet e vizituara, janë realizuar dhe janë duke u realizuar ndërhyrje restauruese në dhjetëra monumente: Muzeu Etnologjik Emingjiku në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e Parë në Prizren, Hamami i Gazi Mehmet Pashës në Prizren, Hamami në Mitrovicë dhe në disa monumente brenda Qendrës Historike të Prizrenit”, vijon njoftimi.