Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një vizitë në ndërmarrjen Trepça në Flotacionin Tuneli i Parë në Komunën e Mitrovicës.
Kështu ka njoftuar, menaxhmenti i ndërmarrjes publike, Trepça, e cila ka shprehur mirënjohje për vizitën e sotme të kryeministrit Kurti, në flotacion.
Sipas tyre, kjo vizitë është një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të mbështetur sektorin e minierave dhe zhvillimin industrial të vendit.
“Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti shprehu interesin për sfidat dhe mundësitë që ofron Trepça, si dhe për rolin e saj të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Ndërmarrja publike theksoi se kjo vizitë është një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për një të ardhme më të ndritur të kësaj pasurie kombëtare”, thuhet në njoftimin e Trepçës.
Po ashtu, menaxhmenti i Trepçës, ka falënderuar Kurtin për mbështetje dhe për dialogun konstruktiv mbi prioritetet e ardhshme.