Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi Xhevat Qorrajn si ndër personat që lanë gjurmë në historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e artistit Qorraj, gjersa kujtoi momentet filmike të tij, duke theksuar që i ndjeri është pjesë e gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë kosovarë.
“Të tjera role filmike në filmat ‘Rojet e mjegullës’, ‘Si të vdiset’, ‘Tri dritare dhe një varje’ dhe deri te filmi ‘Eternally Child’, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne. Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë.”, shkroi Kurti.
Krahas kësaj, ky i fundit kujton edhe kohën kur roli i Qorrajt kishte bërë jehonë, kohë në të cilën, Kurti ishte dhjetë vjeç.
“Kam qenë 10-vjeçar kur pati bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi ‘Proka’ i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin ‘Proka’, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën ‘Proka’ të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film.”, shkroi ai.
Aktori Qorraj ka vdekur në moshën 76-vjeçare.