Kurti:Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrat e kryera gjatë luftës së fundit nga forcat serbe në Kosovë, 23 vjet më parë, në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka përkujtuar krimet makabre të kryera gjatë luftës së fundit nga forcat serbe në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.

Në këto fshatra u kryen krime të tmerrshme duke lënë të vrarë 44 persona në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kurti, në postimin e tij, ka thënë se kur bëhet fjalë për krime të tilla mungojnë gjykimet, vendimet e aktakuzat, duke potencuar se për masakrat në fjalë ishte hapur një gjykim në Beograd me kallëzim penal nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

”Zakonisht për raste të tilla mungojnë gjykimet. Mungojnë vendimet. Mungojnë aktakuzat. Por në rastin e masakrave në fjalë, për disa prej vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd, si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare”, ka shkruar Kurti në postim.

Ai shton se është ngritur aktakuzë ndaj personave që kanë kryer këto krime, disa persona janë dënuar, ndërsa ka pasur edhe tëheqje të akuzave, si dhe anulim të aktgjykimit nga Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd.

”Aktakuza ishte ngritur në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 5 vjet, dy me nga 2 vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat.

Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim”, ka shkruar ndër të tjerash kryeministri.

Edhe pse janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, i pari i Qeverisë thekson se akoma nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar, e kjo dërgon në një drejtësi të mohuar.

”Përkundër faktit që janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2022, nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, e familjet të jenë të qetë duke e ditur që kriminelët kanë marrë dënimin e merituar”, përfundoi Kurti.

23 vjet më parë, më 14 maj  të vitit 1999 forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë së Milosheviqit në fshatrat Qyshk, Zahaq Llabjan e Pavlan të Pejës kanë ekzekutuar dhe më pas i kanë masakruar mizorisht 44 shqiptarë nga radhët e popullatës civile, në mesin e tyre edhe babanë e Agim Çekut, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika