Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do t’iu hetohet pasuria nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Kjo pas hedhjes së shortit që AKK-ja ka bërë të mërkurën e 15 qershorit, për të hetuar pasurinë e tërësishme të 20 për qind të zyrtarëve që e kanë deklaruar atë.
Kontroll të pasurisë është thënë se do t’i bëhet edhe ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit.
Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh deputet i Kuvendit, Memli Krasniqi, kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe njëherësh deputet, Behgjet Pacolli, janë në mesin e zyrtarëve publikë që do t’iu hetohet pasuria nga AKK-ja.
Emra të tjerë të përzgjedhur janë, Avdullah Berisha – drejtor i Trepçës, Blerim Sallahu – zëvendësministër i Drejtësisë, Hajdar Beqa – deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Valbona Disha-Haxhosaj – prokurore në Prokurorinë e Shtetit, Kastriot Memaj – prokuror në Prokurorinë e Shtetit, Igor Simic – deputet.
Pasuria do t’iu hetohet edhe disa prokurorëve të tjerë, këshilltarëve komunalë, gjyqtarëve, drejtorëve komunalë.
Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se për të evituar lëshimet eventuale gjatë procesimit të të dhënave, Agjencia kundër Korrupsionit përmes personave kontaktues, javën e kaluar, ka dërguar te subjektet deklaruese regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe tashmë ka pranuar përmirësimet nga ta.
“Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani”, ka thënë Buleshkaj, raporton “Ekonomia Online”.
Të martën, AKK-ja publikoi deklarimin e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë.