Bashkimi Evropian (BE) duhet të ndryshojë qasjen në dialog, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pasi procesi i deritanishëm nuk ka sjellë sukses dhe është e domosdoshme të ketë një format ndryshe pas zgjedhjeve në BE dhe me një ndërmjetës të ri evropian.
Për këtë të fundit, ajo thotë se përveç ish-presidentit slloven, Borut Pahor, ka edhe kandidatë të tjerë.
Ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës deri në fund të vitit 2024, derisa shton se do të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme për të ecur përpara me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Shefja e deputetëve të LVV-së, në një intervistë për KosovaPress deklaron se qasja aktuale e BE-së në dialog po dekurajon palët të jenë më produktive. Ajo përmend ledhatimin që sipas saj BE-ja po ia bën Serbisë, përkundër sulmit terrorist në Banjska dhe shkeljes së marrëveshjes së Brukselit.
“Është e domosdoshme edhe qasja dhe objektivat dhe formati. Besojmë se deri më tash, në mënyrën sesi dialogu ishte strukturuar, në mënyrën sesi u bë komunikimi për dialogun nuk ka sjellë shumë sukses. U pa se mos vënia para përgjegjësisë të atyre që kanë shkelur marrëveshjet nuk sjell përparim në dialog. Në të kundërtën, dekurajon palët të jenë më produktive në dialog. Serbia nxirret pa masa, pa sanksione, vazhdimisht shkel pikat e marrëveshjes, ndërsa Kosovës i bëhet presion… Nuk mund të jep vlerësim, pasi nuk di kush janë emrat të tjerë. Ka qenë vetëm ish-presidenti Pahor, i cili veçse ka prezantuar gatishmërinë për të qenë ndërmjetës, ka qenë edhe më vokal, ka qenë më aktiv në media. Kemi informacione se ka edhe kandidatë të tjerë të interesuar apo që ka pasur interesim, por emrat e tyre nuk janë bërë publikë”, tha Kusari-Lila.
Duke folur për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Kusari-Lila është optimiste se kjo do të ndodhë para fundit të këtij viti. Ajo pret një reflektim nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me kërkesën e tyre për hapa konkret për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë e shoh se kjo mund të ndodhë jo më larg se në fund të vitit 2024. Pra, ky vit do të jetë prapë viti që kurorëzohen me sukses përpjekjet tona për anëtarësim në Këshill të Evropës… Shpresoj të ketë reflektim serioz nga vendet anëtare, por edhe në aspektin tjetër Kosova është e vetëdijshme çfarë po i kërkohet apo çfarë më pastaj u bë kusht në Këshillin e Ministrave, përkundër që ne asnjëherë nuk jemi tërhequr nga obligimet që janë trashëguar prej marrëveshjeve të mëhershme. Ato duhet të jenë konform Kushtetutës së vendit dhe funksionalizimit të mirëfilltë të shtetit”, deklaron ajo.
Ajo thekson se qeveria nuk pajtohet me draft-statutin e propozuar nga BE-ja, andaj nuk e ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese. Kusari-Lila beson se mund të gjendet një zgjidhje, ku statuti i asociacionit të jetë një dokument autentik i palës kosovare, i cili siç thotë ajo, do të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
“Ai draft-statut për t’u dërguar në Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhet vendim i qeverisë. Ne kemi qenë të qartë se për të marrë vulën dhe logon e qeverisë duhet të ketë pajtueshmëri. Qeveria duhet edhe të pajtohet në tërësinë e vet të materialit që është dorëzuar. Qeveria nuk është pajtuar në tërësi me atë material dhe ka dorëzuar komentet e veta, të cilat nuk janë marrë parasysh. Prandaj ne duhet të kemi një dokument, i cili ka jo vetëm vulën e qeverisë, por edhe të gjithë mbështetjen…Unë jam më se e bindur se do të shkojmë me një zgjidhje të ndërmjetme, sepse nuk ka ndonjë rrugë tjetër. Ne e shohim komunikimin dhe rëndësinë e raporteve me të gjitha shtetet, përfshirë edhe me ato që kanë këmbëngulur që të shkojë draft-statuti i asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Por mendoj se të gjithë duhet të kenë të qartë se e para janë obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka, dhe e dyta, ata nuk mund të insistojnë në diçka që pastaj brenda Kosovës mund të shkaktojë probleme. Prandaj, besoj se në këtë proces kohor zgjidhja e ndërmjetme do të jetë kur të ketë diçka autentike nga vetë Kosova. Natyrisht diskutohet edhe me partnerët ndërkombëtarë, por pronësia duhet të jetë e Kosovës”, deklaron Kusari-Lila.
Në lidhje me mbylljen e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri ajo thotë se është bërë për shkak të shtrirjes së sovranitetit dhe legjitimitetit në atë pjesë, teksa shprehet e habitur me reagimin ndërkombëtar sa i përket çështjes së dinarit.
“Mua më befason që ende po kundërshtohen ashpër veprimet, të cilat synojnë vendosjen e ligjshmërisë në veri. Kjo ka qenë e pritshme. Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për tashmë se pesë muaj për të gjetur një zgjidhje për çështjen e ndihmave apo asistencës sociale që Serbia e bën për qytetarët serbë në Kosovë, kanë qenë të vazhdueshme. Kanë qenë shtatë takime në Bruksel, angazhim i vazhdueshëm, propozime, alternativa që s’janë pranuar nga pala serbe… Se bashkësia ndërkombëtare në një formë dërgon notë proteste te Qeveria e Kosovës kur ka angazhim për vendosje të ligjshmërisë, kjo është paksa e çuditshme. Ky ka qenë një proces që ka pasur kohë dhe angazhim për t’u zgjidhur…Nuk besoj se ka shkuar krejtësisht i painformuar faktori ndërkombëtar. Ndoshta nuk është marrë miratimi, por është njëjtë sikur nuk merret miratimi për një aksion policor kudo tjetër në Kosovë, në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit, apo ndalimit të ndonjë veprimtarie ilegale”, thekson Kusari-Lila.
Sipas saj do të ishte paradoksale që për shkak të shtrirjes së legjitimitetit në veri të ketë vazhdim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Do të ishte paradoksale sikur një aktivitet i shtetit për rend dhe ligj, për ndërprerje të aktivitetet ilegal brenda territorit të vet do të përcillet me zgjatje të masave. Ndërkaq, aktivitete që synojnë destabilizimin e rajonit nuk marrin as në aspektin retorik kritika më të ashpra. Po është dënuar sulmi terrorist në Kosovë dhe vrasja e heroit tonë, por nuk ka pasur pasoja për Serbinë”, përfundon ajo. /KP