​Kusari-Lila: Drafti i Asociacionit mund të ketë ndryshime, s’do të krijohet pushtet i tretë qeverisës

“Ne nuk flasim për asnjë mekanizëm të ri, qoftë institucional apo në nivel të organizimit të nivelit komunal që mund të rrezikojë shtetësinë e Kosovës apo kushtetutshmërinë e vendit. Pasi janë një mori mekanizmash dhe gjatë gjithë kohës është folur për mos sjelljen e situatës në të cilin krijohen probleme apo minohet rendi kushtetues apo defunksionalizohen mekanizmat e caktuar qoftë të ekzekutivit apo nivelit lokal"

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është e bindur se drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë, nuk krijon një mekanizëm të ri të pushtetit të tretë qeverisës që mund të rrezikojë shtetësinë apo kushtetutshmërinë e Kosovës.

Megjithatë, ajo thotë se shqetësimet e krerëve të vendit janë në disa aspekte që mund të krijojnë dykuptimësi në zbatimi, andaj sipas saj, edhe qeveria ka adresuar komente tek ndërmjetësit e dialogut, por për të cilat ende s’ka një përgjigje.

Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, përmend mundësinë që drafti të pësojë ndryshime, prandaj shprehet më e rezervuar të komentojë në detaje, mirëpo nënvizon se aleatët e Kosovës, veçmas ShBA-ja, ka garantuar se nuk do të lejojnë krijimin një niveli të tretë qeverisës në Kosovë.

“Ne nuk flasim për asnjë mekanizëm të ri, qoftë institucional apo në nivel të organizimit të nivelit komunal që mund të rrezikojë shtetësinë e Kosovës apo kushtetutshmërinë e vendit. Pasi janë një mori mekanizmash dhe gjatë gjithë kohës është folur për mos sjelljen e situatës në të cilin krijohen probleme apo minohet rendi kushtetues apo defunksionalizohen mekanizmat e caktuar qoftë të ekzekutivit apo nivelit lokal…Jo absolutisht. ne nuk e kemi as konceptin e shtetit federal, rendi kushtetues i Kosovës është i qartë si republikë parlamentare me dy nivele të qeverisjes, atë lokal dhe qendror.

Si e tillë nuk pritet dhe nuk ka asnjë hapësirë dhe mundësi të ndryshohet. Për mbi tërë këtë janë edhe garancitë e partnerëve, gjegjësisht aleatëve në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ka pasur kërkesa apo insistime se kjo mund të krijojë një sistem të tretë të qeverisjes në Kosovë kam qenë vet prezentë ku ka pasur reagime të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, në kundërshti me këtë teori apo presupozim”, thekson Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të LVV-së në Kuvend mirëpret publikim e draftit të Asociacionit dhe shpërndarjen e tij te partitë opozitare.

“Drafti tashmë është publik, natyrisht i është shpërndarë me të drejtë edhe partive opozitare nga vet zyra e ndërmjetësit zotëri Lajçak. Sa i përket përmbajtjes unë po përmbahem të komentoj në atë çfarë ka aty brenda, për faktin se është draft dhe mund të pësojë ndonjë ndryshim që ne pastaj mund të kemi ose dakordim ose kundërshti në raport me një etnitet që parashihet si rezultat i marrëveshjeve të arritura njëra në vitin 2013 dhe tjetra në vitin 2015.

Megjithatë për diskutim dhe informim të brendshëm në nivelin e demokracisë dhe funksionimit të saj është mirë që partitë opozitare e kanë, por duhet pasur parasysh se në të njëjtin draft kryeministrin Kurti vetëm kanë dorëzuar komentet e tyre, për të cilat ende nuk ka një përgjigje dhe nuk ka një afat se cilat janë datat në raport me marrjen parasysh të komenteve apo jo. Pastaj edhe fazat e zbatimit, prandaj çka do që themi ne do të mund të ishte e tepër ose jashtë kontekstit me ngjarjet që mund të pasojnë si rezultat i finalizimit të këtij drafti apo plotësimit të tij”, shton ajo.

Kusari-Lila e sheh pozitive edhe shpalljen në kërkim të ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Ajo krejt varet nga lëvizjet e tij, pasi atë e mban Serbia. Siç dihet Kosova ka bërë kërkesë disa herë për arrestimin e tij. Është pozitive fakti që Interpoli përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka marrë kërkesën e Kosovës për arrestim të Milan Radoiçiq, krye terroristit i cili në Banjskë ishte organizatori kryesor në një aksion i cili përveç që ishte cenim i rendit kushtetues dhe Republikës shkaktoi edhe vrasjen e një rreshteri në detyrë”, deklaron ajo.

Krahas kësaj, ajo nënvizon se moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është qëndrim parimor i institucioneve të Kosovës.

“Kosova është vend sovran dhe si i tillë ka raporte bilaterale me shumë shtete, ndër to nëse mund të ketë kërkesë nga shtetet për mbajtjen e zgjedhjeve për qytetarë që kanë dyshtetësi ose janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në ndonjë shtet tjetër duhet të ketë kërkesë drejtpërdrejtë te shteti i Kosovës. Kërkesa nuk ka ardh prandaj ne nuk kemi pasur mundësi të përgjigjemi apo të japim garanci për organizim të këtyre zgjedhjeve. Ky ka qenë qëndrim parimor i cili nuk ndërlidhet vetëm me Serbinë po ndërlidhet me të gjitha shtetet që mund të kenë një kërkesë të tillë”, shton Kusari-Lila.

Në anën tjetër, Kusari-Lila mirëpret edhe kërkesën për nisje të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

“Është veprim që institucionet e Kosovës kanë thënë se është e vetmja zgjidhje për të organizuar zgjedhje në katër komunat në veri. Ka pasur disa çështje teknike të cilat janë informuar palët që e kanë kërkesë. Unë shpresoj si përfaqësuese e grupit parlamentar më të madh në Kuvend që çdo gjë të shkojë sipas asaj që është e paraparë me ligj dhe kushtetutën dhe udhëzimin administrativ që është publik, ku të gjitha hapat në kuadër të këtij udhëzimi dihen se si mund të shkohet në organizim të zgjedhjeve të reja. Kjo është e vetja mënyrë si të kthehet rendi dhe ligji dhe përfaqësimi i mirëfilltë i qytetarëve”, përfundon Kusari-Lila./KSP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika