Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari – Lila, ka mirëpritur liberalizimin e vizave për Kosovën teksa e ka quajtur këtë një hap të rëndësishëm.
Ajo ka përmendur edhe reagimin e ambasadorit francez, Olivier Guerot që është deklaruar se pikërisht për shkak të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti i Francës, Emmanuel Macron u pajtua për liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në verën e vitit të kaluar.
Kusari-Lila ka thënë se të mërkurën me aktin e nënshkrimit të vendimit për heqjen e vizave për Kosovën në Strasburg, u përmbyll procesi më i gjatë dhe më i vështirë ndonjëherë për vendin.
Sipas saj, ky proces gjithmonë është ndërlidhur me procese politike të cilat nuk kanë pasur ndonjë ndërlidhje në kontekstin e lëvizjes së lirë.
“Ky proces u lidh me proceset politike të cilat në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kishin fare ndërlidhje”, teksa ka shtuar se pastaj përdorej si shkop i kushtëzimit edhe dialogu Kosovë-Serbi.
“Përkundër vonesës, lëvizja e lirë tashmë nuk ka dilemë apo shtyrje tjetër. Barazia e popullit tonë me popujt evropianë shërben si motiv”.
Ndryshe, të martën, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.