Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari–Lila, në konferencën e trevjetorit të legjislaturës së VIII-të e ka pranuar se krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë dërguar një letër raportueses së Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannisit.
Kusari-Lila ka thënë nëse kjo letër është bërë publike nuk ka asgjë të pazakontë, është një letër e përbashkët e tre krerëve të shtetit.
Kusari–Lila ka thënë se kjo është një letër standarde pa të cilën nuk do të votohej raporti për anëtarësim, i cili pritet të bëhet më 27 mars të këtij viti.
“Letra nuk është asgjë më shumë se një formalitet që duhet përmbajtur, kurse pjesëve të raportit që iu referohet letra nuk janë pjesë por referencë tek opinioni i raportueses Bakoyannis”, ka thënë Kusari-Lila.
Tutje, ajo ka thënë se opinioni për Kosovën e përmend Marrëveshjen Bazike në tërësinë e saj, për të cilën tha se i referohet tërësisë së obligimeve nga kjo marrëveshje e që sipas Kusari–Lilës, në të hyn edhe njohja de-facto nga Serbia e anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.