“Nëse ideja për themelimin e asociacionit dhe insistimi për themelimin e asociacionit është për të krijuar dhe forcuar një mekanizëm të Serbisë për funksionim në Kosovë, atëherë natyrisht që do të rezistojmë ashtu siç është rezistuar deri më tani, sepse nuk po krijohen argumentet kredibile për përmirësimin e jetës së qytetarëve por për krijimin e mekanizmave të ndikimit të Serbisë në Kosovë”.
Kështu është shprehur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, teksa ka folur për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, Projekt-Kodi Civil, i cili kishte dështuar të miratohej nga Kuvendi i Kosovës në sesionin e verës, pritet të miratohet në vjeshtë.
Kusari ka bërë të ditur se kanë filluar të bisedojnë edhe me përfaqësuesit e opozitës në mënyrë që t’i kenë votat e mjaftueshme për miratimin e projekt-kodit civil.
Kusari-Lila tha se në grupin parlamentar të LVV-së, ka deputetë që mendojë ndryshe për këtë çështje, por sipas saj pret që edhe ata të ndërrojnë qëndrim
Sipas saj, projekt-kodi civil nuk duhet të reduktohet në vetëm një pikë, duke aluduar kështu te martesa e gjinisë së njëjtë, pikë kjo që kishte ngjallur debat në Kuvendin e Kosovës.
“Ka marrë konotacion të përgjithshëm që kodi ka të bëjë vetëm me një nen, projekt-kodi rregullon jetën e qytetarëve prej lindjes në vdekje, duhet të kuptohet drejt rëndësia e projekt-kodit-civil”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së tha se projekt-kodi civil është dokumenti më i rëndësishëm pas dokumentit të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, ajo ka folur për punët e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve në sesionin veror që tashmë ka përfunduar.
Sipas saj Kuvendi i Kosovës si asnjëherë më parë i ka miratuar 87 ligje dhe 18 marrëveshje ndërkombëtare.