“Fatkeqësisht, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiqin në krye të saj”.
Kështu ka shkruar në Facebook, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, teksa ka theksuar se synimi për terror nga ana e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndalur asnjëherë. Sipas saj, vetëm ka ndryshuar madhësia e ndikimit dhe mënyra e aplikimit.
Për Kusarin, sulmet e organizuara ndaj institucioneve të Kosovës në Komunat veriore, para zgjedhjeve lokale, tregojnë se cak janë institucionet e shtetit të Kosovës dhe qytetarët serbë që duan të jetojnë në dhe me shtetin e Kosovës.
“Aleksandër Vuçiq nuk e ka interes integrimin dhe avancimin e serbëve në shtetin e Kosovës. E kundërta, ai kërkon që pakica serbe këtu të jetë e ndarë dhe kundër shtetit të Kosovës. Ata duan me zor ta mbajnë gjallë një konflikt të paqenë midis qytetarëve me bazë kombësie”, shkroi ajo.
Sipas saj, kështu pretendon pala serbe ta mundësojë dezintegrimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e të gjithë mekanizmave demokratikë.
“Por sot para nesh ne kemi qytetarët e ndershëm përballë bandave kriminale të Vuçiçit. Dhe policinë e Kosovës duke kryer detyrën e saj në mbrojtje të qytetarëve dhe institucioneve. Nuk ka askush problem me qytetarët serbë në Kosovë. Por Vuçiçi e ka problem që ata nuk punojnë të gjithë kundër shtetit të Kosovës”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, të martën, në Zubin-Potok dhe Mitrovicë Veriore, persona të maskuar kanë dëmtuar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore duke përdorur mjete të rrezikshme.
Ndërkaq, në orët e vona është larguar mjeti shpërthyes, i cili gjendej në këtë objekt.
Lidhur me mjetin shpërthyes që tashmë është deminuar, zyrtarët policorë në mënyrë jozyrtare, thanë se bëhet fjalë për një granatë që nuk ka qenë e shpërthyer më parë.
Para kësaj, Policia e Kosovës kishte vendosur shirita te zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor të Veriut të Mitrovicës.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se nga shpërthimet, nuk pati të lënduar.
Krerët e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, i dënuan sulmet në veri, duke thënë se janë të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.