Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se rreth problemeve të faturimit, qytetarët duhet të drejtohen te KESCO.
Kjo, për shkak të dyshimeve për faturim jo të saktë të energjisë elektrike nga institucionet kompetente.
“Ky rast ka ardhë në vëmendjen tonë, gjithashtu, ka dyshime për furnizimin jo të saktë, andaj qytetarët duhet menjëherë t’i drejtohen furnizuesit, në këtë rast KESCO-s dhe, gjithashtu, nëse nuk ka përgjigje të mirëfilltë, edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, deklaroi Kusari Lila.
Ajo shtoi se Qeveria ka subvencionuar energjinë elektrike sivjet.
“Sa i përket situatës energjetike, qeveria ka ndërmarrë masa të vazhdueshme për të lehtësu përballjen me krizën energjetike, me të cilën përballet gjithë Evropa. Qeveria ka bërë subvencionimin e 10 mijë familjeve për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje, që mundësojnë zvogëlimin e sasisë së energjisë së konsumuar, kurse sivjet subvencionohen edhe 20 mijë familje tjera”, tha ajo.
Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore, po, sipas tyre, shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë.
Sipas KESCO-s, tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 1 prill 2023.