Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari “sot kanë marrë vendim politik për të mbyllur Klan Kosovën”.
Sipas saj, vendimi i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve duhet të kuptohet si vendim i Qeverisë Kurti për të mbyllur një media në Kosovë.
“Vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit është politik, arbitrar, me bazë të gabuar ligjore, me procedurë të shpikur dhe nga autoriteti dhe zyrtarja që nuk ka kompetencë të pezullojë certifikata biznesore.
Ky është sulmi më i madh që i është bërë pluralizmit të medias dhe demokracisë në Kosovës nga një parti politike.
Asnjëherë nuk kam besuar që në vendin tonë do të ndodhte një gjë e tillë. Asnjëherë”, ka shkrua Kusair në Facebook.
Më tej Kusari ka theksuar se “vendimet fillestare kishin plot gabime gjë që e detyroi ARBK t’i ndryshojë ato disa herë. Edhe ky vendim ka gabime trashanike”.
“Vendimi i lëshuar sot i referohet një dokumenti me referencë 2008-50/155020230079177 i datës 28 korrik 2023, i cili sipas vendimit të MINT i është bashkangjitur nga pala në ankesë (pra nga Klan Kosova). Klan Kosova nuk ka dorëzuar asnjë dokument sot dhe nuk ka në posedim asnjë dokument me këtë numër reference. Kjo e dëshmon qartazi që vendimi është i kundërligjshëm.
Klan Kosova ka mundësi të ankohet në gjykatë dhe kam shpresë në gjykatë por kjo nuk e ndryshon qëndrimin politik të qeverisë për të mbyllur mediat në Kosovë.
Ju ftoj të gjithëve të mos heshtni dhe të reagoni dhe të ngrisni zërin në platformat e juaja.
Kjo nuk është beteje vetëm e Klan Kosovës. Kjo është betejë e gjithë shoqnisë.”