Institucionet e Kosovës janë kërcënuar nga Lista Serbe se do të bojkotohen për shkak të tensionimit të situatës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e paligjshme “KM”.
Analisti serb,Dushan Janjiq ka ngritur një dilemë se kur pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të largohen nga ky institucion i sigurisë, kush do t’i çarmatosë këta ish-policë.
“Ekziston një rrezik specifik për sigurinë për vetë Vuçiqin sepse ka presion mbi Serbinë që t’i çarmatosë ato njësi, jo vetëm policia… KFOR-i duhet ta bëjë këtë. Ekziston edhe rreziku i konflikteve të armatosura”, ka përfunduar analisti Dushan Janjiq.
Braktisja e institucioneve të Republikës së Kosovës nga serbët nuk është diçka e re për Kosovën.
“Ndryshe nga njëzet herët e mëparshme, kur serbët shpallën daljen e tyre nga institucionet e Kosovës, dhe e para ishte në vitin 2006, kur e bëri thirrjen presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiq, tani duket se do të bëhet realisht”, ka vlerësuar Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.
Duke treguar arsyet për të cilat ai beson se këtë herë Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë nuk do të “qëllojnë nga arma bosh”, si deri më tani, i intervistuari i Danas thotë para së gjithash se “nëse vërtetë do të durojnë dhe largohen, do të thotë se Serbia po e braktis procesin e normalizimit”.
“Të gjithë e dinë që është rënë dakord. Dhe vetë Vuçiq tha se kjo është politika që do të ndjekë. Është gjithashtu e mundur që dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës do ta përshpejtojë marrëveshjen politike dhe se kriza do të përdoret për të shpejtuar dialogun dhe për të ndryshuar elitat, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë që nuk ishin të dobishëm. Është një mundësi reale”, ka thënë ai.
Ka mundësi që në veri të Kosovës po krijohet një realitet krejtësisht i ri.
Ekziston edhe një mundësi tjetër, ka shtuar Janjiq, e ajo është që të aplikohet një lloj sanksionesh dhe izolimi ndaj Serbisë dhe në të njëjtën kohë të krijohet një realitet krejtësisht i ri në veri të Kosovës sepse, thekson ai, rreziku kryesor atje është marrë nga marinsat amerikanë.
“Amerikanët nuk do të sakrifikojnë jetën e njerëzve të tyre ashtu. Nëse do të ketë disa konflikte të armatosura më të shkurtra apo jo, është pyetja. Por kjo definitivisht do ta fshinte problemin e integrimit të veriut të Kosovës. Dhe, natyrisht, ka sjellë emigrimin e një numri të konsiderueshëm të serbëve”, ka theksuar Janjiq për mediumin serb Danas.