Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se gjatë kësaj jave do të mbahen tri seanca.
Rrustemi ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë vendimi i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji elektrike, ndërsa do të ketë edhe seancë të re me vazhdimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.
Ndërkaq, të premten do të ketë një seancë plenare ku do të diskutohen dy çështje të rëndësishme, ajo për vettingun dhe projektligji për pagat e zyrtarëve publikë.
“Projektligji për pagat dhe zyrtarët publikë janë projektligje tejet të rëndësishme, sepse është punuar gjatë nga Qeveria e Kosovës, prandaj u rendit si pikë në seancën e së premtes, kështu që këtë muaj duhet ta kalojmë në lexim të parë”, ka thënë Rrustemi.
Ndërsa i pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se kur bëhet fjalë për dialogun, qëndrimi duhet të jetë i përbashkët si shtet i Kosovës.
“Mendoj që ka pasur takime të liderëve me kryeministrin, dhe ka pasur komunikim të vazhdueshëm dhe duhet të kemi një qëndrim të përbashkët si shtet për këtë çështje”, ka vijuar ai tutje.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me Ligjin për Paga të sponzorizuar nga qeveria, nuk dihet se sa do të jenë pagat e zyrtarëve publikë, pasi sipas tij, ai ligj nuk ka koeficient.
“Kjo është seanca më e rëndësishme për Aleancën, sepse në rend të ditës pritet të vijë Ligji për paga, fatkeqësisht e ka emrin ligji i pagave, por nuk dihet sa është paga e një zyrtari publik, sepse nuk ka as vlerë as koeficiente”, ka thënë ai.
Tahiri e ka kritikuar edhe ligjin për zyrtarët publikë, duke thënë se qeveria po tenton që përmes këtij ligji, t’i kontrollojë ata.