Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik, dhe se po punohet për rikuperim të plotë.
“Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave”, thuhet në njoftim.
Në njoftim Kuvendi i Shqipërisë ka bërë të ditur se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar nga momenti kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.
“IP-të e evidentuara gjatë sulmit kibernetik vijnë nga shtete të ndryshme dhe nuk rezulton asnjë IP shqiptare, e aq më pak nga ndonjë institucion shtetëror. Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje thuhet se për sa më sipër, dalja “LIVE” e shërbimeve kërkon kohë, pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.