Të shtunën do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, që do të vendosë për kryesinë e re të partisë opozitare pas ikjes së Lulzim Bashës.
Në Kuvendin Kombëtar, i cili do të nisë në orën 10:00 dhe do të mbahet në “Pallatin e Kongreseve”, do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë.
Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatët e rinisë dhe gruas, kështu, numri shkon në 1800 delegatë.
Burime të A2 CNN thonë se parashikohen 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyera në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj.
Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.
Partia Demokratike bëri publike 421 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Mes tyre, 1100 delegatët e Kuvendit do të zgjedhin 150 emrat që do të jenë pjesë e Këshillit.
Lista e kandidatëve përbëhet nga shume emra, të kohës kur Berisha kishte drejtimin e partisë.
Bie në sy kandidatura e Arben Imamit, i larguar më parë nga Basha, si dhe Rudina Hajdarit e Myslym Murrizit që u përjashtuan, pasi refuzuan të digjnin mandatet parlamentare.
Në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar nuk mungojnë as kritikë të Berishes, si Fatbardh Kadilli, si dhe njerëz të cilët ishin pranë Lulzim Bashës si Patrik Sadikaj.
Konflikti mes Bashës e Berishës
Më 21 mars të këtij viti, Lulzim Basha, atëkohë kryetar i PD-së, kishte dhënë dorëheqje nga kryetari i partisë, pas nëntë vjetësh si kryetar i saj.
Basha kishte deklaruar se dorëheqja e tij është bërë pas përpjekjeve të dështuara për ta mbajtur partinë e bashkuar.
Përçarja mes Bashës e Berishës, erdhi pas shpalljes “non-grata” të këtij të fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për përfshirje në korrupsion të gjerë.
Pas vendimit të DASH-it, Lulzim Basha kishte marrë vendim për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë.
Me këtë vendim, nuk u pajtua aspak ish- kryeministri Sali Berisha, i cili pat iniciuar një referendum për ta shkarkuar Bashën nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike.
Sipas iniciuesve të këtij referendumi, për largimin e Bashës nga kreu i PD-së votuan rreth 43 mijë e 385 anëtarë të kësaj partie.
Përplasjet patën vazhduar edhe në rrugë, ku Sali Berisha pati mbledhur një numër të konsiderueshëm të protestuesve, me ç’rast kishte pasur edhe përplasje fizike.
Dorëheqja e Bashës ka ardhur dy javë pas zgjedhjeve lokale në gjashtë bashki në Shqipëri, në të cilat PD-ja doli e treta.
Basha për nëntë vjet rresht sa ishte në krye të PD-së nuk arriti të fitojë asnjë parë zgjedhje, qoftë lokale apo edhe nacionale.