Gjatë ditës së enjte Kuvendi i Kosovës ua ka kufizuar hapsirën punës gazetarëve të cilët raportojnë nga punimet e Kuvendit.
Për këtë ka reaguar, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili ka thënë se nuk ka asnjë aryse të “sigurisë” që mediave t’u kufizohet puna.
“Nuk ka asnjë arsye “sigurie” që mediave t’u kufizohet fizikisht puna gjatë raportimeve nga hapësirat e Kuvendit. Kufizimi i pamjeve të plota në raport me të gjithë deputetët është kufizim i mundësisë së informimit të publikut mbi zhvillimet në Kuvend, përtej atyre që na i ofron regjia e Kuvendit. Përplasu deputetët e kabineti qeveritar mes veti, e kufizo mediat për “shkaqe sigurie” – nuk shkon!”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Në ndërkohë, pas këtij vendimi për të ua kufizua punën gazetarëve, gazetarët kanë bojkotuar raportimin nga punimet e Kuvendit, çka rrezikon të krijojë boshllëk informacioni dhe të kufizojë aksesin e publikut në zhvillimet e rëndësishme politike dhe vendimmarrjen në vend.
Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kundërshtuar vendimin e Kuvendit që kufizon hapësirën e punës për mediat në këtë institucion.
Siç thuhet në reagimin e AGK-së, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët raportojnë nga Kuvendi, kanë njoftuar për një situatë të re të vështirësimeve në kryerjen e detyrave të tyre, pasi u është vendosur një shirit që u pamundëson të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve në punë.
“AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit. AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK kundërshton kufizimin e hapësirës së punës për mediat në Kuvend