Emisioni “Kuzhina e Bebit” së shpejti do të nisë sezonin e dytë në RTV Dukagjini.
Ky emision i cili përveç recetave dhe këshillave që do të sjellë autorja Arijana Zhubi-Roka, e që janë shumë të rëndësishme sidomos për nënat e reja, do të ketë edhe një garë me lojë shpërblyese për fëmijët.
Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, Roka është shprehur e entuziazmuar me nisjen e sezonit të dytë të emisionit “Kuzhina e bebit”.
“Emisioni do të nisë nga e shtuna e ardhshme. Do të ketë garë, mysafirë dhe receta të shumta. Gara do të jetë ndërmjet fëmijëve nga mosha 11 deri në 13 vjeç, që janë të apasionuar për gatim, me gatime më të thjeshta”, ka thënë Roka.
Ajo ka treguar se gjatë garës për fëmijë do të ketë edhe shpërblime për pjesëmarrësit.
“Shpërblime do të ketë çdo javë. Sa më e ngushtë që bëhet gara aq më të mëdha do të jenë shpërblimet. E mira është që juria që do të përzgjedhë fituesit do të përbëhet nga psikologë, kjo për arsye që fëmijët të ndihen sa më rehat”, ka thënë Roka për Radio Dukagjini.
Autorja e emisionit, Arijana Zhubi Roka, njëkohësisht është dhe autore e librit “Kuzhina e bebit”, libër me receta dhe këshilla për çdo nënë e cila kujdeset që fëmija i saj të ushqehet shëndetshëm.
“Ky libër përmban receta dhe këshilla për ushqyerjen sa më të mirë për më të vegjlit për periudhën 6-12 muaj, por jo vetëm, sepse në këtë ribotim të gjitha nënat mund të gjejnë edhe recetat e ndryshme nga mosha 1 deri në 3 vjeç”, ka thënë Roka.
Libri “Kuzhina e Bebit”, është ribotuar së fundmi për të gjashtën herë brenda katër viteve.