Rreth katër kilogramë stoli ari me vlerë prej mbi 200 mijë eurosh vlerë, u zhdukën për dy minuta.
Të maskuar e të pajisur me armë të gjata, derisa njëri vëzhgonte rrugën e tjetri e mbante dhunshëm nën kontrollë pronarin, dy të tjerë brenda argjendarisë “Diakos” në Suharekë mblodhën plaqkën.
Forcat e rendit shkrepën armët e grabitësi u kundërpërgjigj, një polic u plagos, ndërsa një tjetër u lëndua gjatë intervenimit, të dy shpëtuan pa lëndime serioze dhe pa vështirësi.
Pa vëshitrësi u larguan edhe katër grabitësit, nga qendra e qytetit në rrugën drejt maleve të Jezercit në afërsi të Ferizajt, pa lënë gjurmë, derisa po binte terri të mërkurën e 22 nëntorit.
Ose kështu të paktën u mendua fillimisht.
Dy ditë më vonë u gjet e djegur makina që u përdor në grabitje, ndërsa u ndaluan dy të dyshuarit e parë që lidheshin me rastin: kishin blerë numra telefoni që besohet se kishin përfunduar në shfrytëzim të grabitësve.
Ngjarja ndër më të komentuarat në vend, mori një kthesë drastike më 30 nëntor.
Qysh pas grabitjes, u ngritën dyshime se në rast, ishte i përfshirë një person, që kishte një të kaluar kriminale që lidhej ekskluzivisht me grabitje të armatosura – e i cili ishte liruar nga burgu së voni.
Bëhej fjalë për Bujar Bashën.
Dhe e enjtja, ishte dita kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës ranë në gjurmët e tij dhe grupit të tij, në lagjen Arbëria të Prishtinës.
Aty hasën në rezistencë, njëri nga të dyshuarit u vra, katër të tjerë u arrestuan.
Ky grup po dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me një person tjetër, pronar i një argjentarie në Prishtinë, edhe ky i arrestuar.
Kështë historia dhe personazhet, por mozaiku nuk u plotësua, meqë aty mungon Korab Gashi, që vazhdon të jetë në arrati.
Ky i fundit tash i dyshuar, në vitin 2003 ka qenë në paraburgim për vjedhje të rëndë ndërsa katër vite më pas ishte dënuar për të njëjtën vepër penale.
RTV Dukagjini ka arritur që të sigurojë të dhëna nga sistemi i burgjeve në Kosovë në lidhje me qëndrimin e Korab Gashit në qendrat korrektuese. Gashi ishte në paraburgim nga data 15 gusht i vitit 2003 dhe kishte qëndruar në këtë masë deri më 31 dhjetor të atij viti.
Ë katër vite më pas, për të njëjtin rast, Gashi ishte dërguar në vuajtje të dënimit. Në bazë të këtyre të dhënave Korab Gashi në burg kishte qëndruar dy muaj e më pas ishte liruar.
Sipas Ministrit të Brendshëm, Policia e Kosovës po e kryen punën e saj, por ajo po shkon dëm edhe për shkak të sistemit të drejtësisë.
“Duke arrestuar të themi Dardan Krivaqën 130 herë e pastaj duhet të vrasë një grua të re që të përfundojë në burg për kohë më të gjatë. Toleranca që ka sistemi i drejtësisë ndaj kriminelëve recidivistë është e pa-kuptueshme”, tha Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, ministri Xhelal Sveçla flet edhe për çështjen e mungesë së armëve të gjata nëpër stacione policore. Armët e gjata nuk i kishin as policët të cilët u përballën me grabitësit në Suharekë.
“Unë ju them se po punojmë intensivisht që kjo mungesë të tejkalohet shumë shpejt keni me pa ndryshime, në mënyrë që efikasitetin e policisë në reagimin në raste të tilla ta ngris në nivel tjetër…do të pajisen ato njësi për të cilat vlerësohet se është e nevojshme por nuk po flas për pajisjet e tyre por po flas edhe për trajnimet e nevojshme dhe po ashtu përgatitjen e korznizave ligjore dhe akteve nën-ligjore”, tha Sveçla.
Edhe në aksionin për kapjen e të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, u plagos një zyrtar i policisë së Kosovës, duke ngritur shqetësime në publik në lidhje me shpeshtimin e rasteve të tilla.
Përderisa përveç Suharekës, numri i grabitjeve të armatosura në vend, nuk është se ka shkuar duke u reduktuar, pavarësisht se u kapën të dyshuarit për rastin.