Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në margjinat e konferencës ”Evropa Lindore dhe Juglindore” e organizuar nga Forumi “Delphi” ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të ankorohet fuqishëm në komunitetin demokratik të vlerave evropiane.
Lajçak përmes një postimi në Twitter ka thënë se në këtë konferencë po ashtu ka përmendur se BE duhet të ketë një perspektivë të besueshme për Ballkanin Perëndimor.
“Në konferencën e sotme, ”Evropa Lindore dhe Juglindore” organizuar nga forumi “Delphi”, fola për rëndësinë e një perspektive të besueshme nga BE për Ballkanin Perëndimor për të ankoruar fuqishëm rajonin në komunitetin tonë demokratik të vlerave”.
At today’s East Med & Southeast Europe Conference organized by @delphi_forum, I spoke about the importance of a credible 🇪🇺 perspective for the Western Balkans to firmly anchor the region in our democratic community of values. pic.twitter.com/P5LYKSv1ap
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) October 25, 2022
Ndryshe, më 22 tetor emisari Lajçak ishte për vizitë në Kosovë.
Ai u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak kishte thënë se shmangia e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë mbetet një synim i BE-së.
Ndërkaq më 7 tetor, Lajçak në një intervistë kishte deklaruar se anëtarësimi në BE nuk është dhuratë, pasi duhet të ndërtohen standarde evropiane.
“Rajoni nuk është në një gjendje të mirë dhe BE-ja dëshiron të tregojë se ne jemi seriozë dhe duam të tregojmë një shembull pozitiv të Ballkanit Perëndimor. Këshilla ime e sinqertë për rajonin – le të mendojmë më pak se çfarë dëshiron BE-ja, dhe fokusohemi në përmbushjen e detyrave tona”, kishte thënë Lajçak.