I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë thënë se ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është Bashkimi Evropian, dhe për këtë arsye, të dyja vendet duhet që të bisedojnë për një zgjidhje të pranueshme dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Escobar ka propozuar se Serbia “duhet të largohet nga narrativa se Kosova është Serbi dhe të shkojmë drejt narrativës se Kosova dhe Serbia janë Evropë”.
Ndërsa Lajçak, ka theksuar se “rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët është përmes dialogut nën kujdesin e BE” dhe se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin është urgjente, sepse status quo-ja nuk është e qëndrueshme”.
Sipas Lajçak-ut, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka shumë në rrugë sepse “palët kanë pikëpamje shumë të ndryshme për një sërë çështjesh në tryezë, veçanërisht, për atë se çfarë do të thotë një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirës”.

“Është shumë e rëndësishme të kapërcejmë fazën tonë të tanishme, në të cilën flasim pothuajse çdo ditë me dy liderët, vetëm për të shmangur tensionet më të mëdha dhe për të filluar të flasim më shumë për tablonë më të gjerë”.
“Të mos harrojmë se procesi i normalizimit është i lidhur me rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë anëtarësim në BE për asnjë palë pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe palët e dinë këtë. Anëtarësimi në Union është një synim strategjik i Kosovës dhe i Serbisë dhe jam i bindur se progresi në dialog do të jetë përfundimisht i pashmangshëm dhe fakti që të dy liderët tani janë gati të takohen rregullisht në Bruksel është një shenjë e përkushtimit të tyre për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve”, ka sqaruar Lajçak.
Ai ka përfuduar duke thënë se palët duhet të përcaktojnë rezultatin përfundimtar dhe të bien dakord me ndërmjetësimin e BE-së.

Ndërsa, dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se mekanizmi, përmes të cilit, Serbia dhe Kosova arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse është dialogu, i cili duhet të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të zhbllokojnë të ardhmen evropiane për të dyja vende.
“Shpresa jonë, si dhe shpresa e partnerëve tanë evropianë, që këto vende të afrohen më shumë me Evropën, është vetëm një konfirmim i aspiratave të vetë qeverive… Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik i Serbisë edhe i Kosovës. Prandaj, dialogu është mekanizmi me të cilin do të zhbllokohet gjithçka”, kështu ka vlerësuar Escobar.
“Prandaj, dialogu do të vazhdojë të përdoret si një mënyrë për të krijuar zgjidhje fitimprurëse” dhe “Jam i bindur se mundemi, jam i bindur se në Ballkanin Perëndimor përgjigjja është me të vërtetë integrimi, jo shpërbërja”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, ai ka përfunduar duke thënë se Ballkani Perëndimor është një zonë mundësish, një mundësi për bashkëpunim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, Ballkanin Perëndimor duhet të fokusohet në mundësitë e shekullit të 21-të, jo në problemet e viteve ’90-ta, raporton Kurir, transmeton Portali Dukagjini.