Lajçak: Drafti i Ekipit Menaxhues, pikënisje për diskutimet e ardhshme

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se drafti i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit gjatë takimit me liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është përfundimtar, sipas tij, është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme

Pamje nga takimi në Bruksel mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar diplomaten zvicerane, Livia Leu, me të cilën, ndër të tjera, ka diskutuar për ecurinë në dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu ka bërë të ditur Lajçak, nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Isha shumë i lumtur që u njoha me sekretaren e shtetit, Livia Leu dhe diskutova mbi ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu e informova për ecurinë në dialog dhe shpreha mirënjohjen time për ftesën dhe mbështetjen e fuqishme dhe aktive të Dialogut të lehtësuar për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Lajçak gjersa ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë bërë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të tij.

Ai ka deklaruar se drafti i parë i paraqitur nga Ekipi Menaxhues nuk është përfundimtar, sipas tij, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve.

“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Megjithëse, drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak.

Ndër të tjera, ai ka thënë se është i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës.

“Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë tutje ai.

Për themelimin e këtij Asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë Asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Sipas zyrtarëve të BE-së, hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë në Bruksel me paraqitjen e draft-statutit të tij, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

Drafti-statuti u paraqit nga një Ekip Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Kurti ka thënë se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq ka kritikuar Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.

Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika