Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurti ka konfirmuar se në Kosovë kanë ardhur me një plan dhe se atë e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti.
Po të njëjtin plan do ta diskutojnë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“E vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar dialogun. E kemi një plan, e diskutuam me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Vuçiq. Dialogu duhet të vazhdojë. Mund të përsëritet sulmi i Banjskës dhe as ne dhe as ju nuk do të kishim dashur”, ka thënë Lajçak.
Lajçak ka njoftuar se kanë diskutuar për nevojën për deesskalim të situatës duke pasur parasysh se sulmet terroriste si të 24 shtatorit mund të përsëriten, dhe se, sipas tij, Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet dhe zotimet për të cilat është dakorduar më herët.
“Kemi diskutuar për nevojën për deeskalim të situatës duke pasur parasysh se ngjarjet e 24 shtatorit mund të përsëriten. Kosova ka për detyrë t’i zbatojë marrëveshjet dhe zotimet e saj për të cilat është dakorduar më herët. Nëse Kosova dhe Serbia nuk bëjnë hapa tutje në shtensionim të situatës, atëherë do të ketë ngecje në rrugën e tyre për integrim evropian”, ka thënë Lajçak.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është shprehur se duhet të theksohet nevoja për të lëvizur në themelin e Asociacionit “pa vonesa”.
“Pa këtë nuk mund të ketë progres të Kosovës në rrugën evropiane”, ka thënë tutje Lajçak.
Më tej, Lajçak ka shtuar se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit përbën një eskalim të paprecedent. “Shprehëm ngushëllimet te kryeministri dhe dënuam sulmin e 24 shtatorit”, ka shtuar ai.
Tutje, Lajçak bën të ditur se kanë qartësuar se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe presin bashkëpunim të plotë e veprime konkrete të Serbisë në këtë drejtim.