Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të biseduar për zhvillimet në veri të Kosovës. Ai ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, dhe kanë rënë dakord për hapa të menjëhershëm për depërshkallëzim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri të Kosovës, ishin në radarin e të gjithëve. Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës, të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për depërshkallëzimin”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u koordinuar për veprimet e radhës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Më pas do të shkoj në Uashington DC me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm”, ka njoftuar Lajçak.