Në takim me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqin, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke u përgatitur për takimin e radhës mes kryenegociatorëve gjatë kësaj jave.
Lajçak thotë se me Petkoviqin kanë diskutuar për rrugën përpara në dialog dhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe rrugën drejt normalizimit mes palëve.
“Pas vizitës time në Kosovë, kam udhëtuar edhe në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës në mes kryenegociatorëve gjatë kësaj jave. Diskutova rrugën përpara në Dialog dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak.
After my visit to Kosovo, I also travelled to Belgrade to prepare for this week’s meeting of Chief negotiators. With @predsednikrs and @PetkovicPetar I discussed the way forward in the Dialogue and necessary next steps to implement the Agreement on the Path to Normalisation. pic.twitter.com/yN3m3bg4dL
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 14, 2023
Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën në Beograd se tashmë pala që ai përfaqëson e di pse shkon të enjten në Bruksel, në një rreth të ri të bisedimeve me përfaqësuesin e Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve.
Ai tha se Serbia në Bruksel do të marrë një grup ekspertësh, me të cilët, do të diskutojë për draftin e Asociacionit.
“Por është shumë e rëndësishme ajo në të cilën po hyjmë më në fund, në bisedime për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mbi të gjitha, në cilën mënyrë do i zgjidhim një numër të çështjeve të rëndësishme që kanë lidhje me Asociacionin e Komunave serbe, ndaj të gjitha atyre kompetencave ekzekutive që kjo bashkësi i ka në bazë të ujdive të nënshkruara më 2013 e 2015. E që ka të bëjë edhe me shëndetësinë, arsimimin, planifikimin hapësinor dhe të gjitha çështjet tjera të rëndësishme. Si dhe çështjen më të rëndësishme e që është se Beogradi ka të drejtën e plotë t’i financojë të gjitha këto institucione nëpërmjet Asociacionit së Komunave serbe”, ka thënë Petkoviq.
Pas takimit që ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishin me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Petkoviq u shpreh i ngazëllyer që më në fund siç tha po nisin bisedimet për draft-statutin e Asociacionit.
“Sigurisht që folëm edhe për Asociacionin. Kjo është tema kryesore dhe më e rëndësishme për popullin serb, përveç depërshkallëzimit, për të cilin ka insistuar veçanërisht Vuçiq. Asociacioni është një mekanizëm për ruajtjen e të drejtave kolektive dhe individuale që Kurti i shkel çdo ditë. E pranuam ftesën e Lajçakut që pas dy ditësh të takohemi në Bruksel, ku do të vazhdojë dialogu. Pala jonë do të shkojë me një ekip ekspertësh dhe do të diskutojmë edhe tekstin e Statutit të Asociacionit, që është hapi i parë në formimin e Asociacionit”, ka vijuar ai.
Megjithatë, gjatë një takimi me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit në kuadër të një pakoje.