Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke zhvilluar takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se arsyeja pse nuk vazhdoi të qëndronte në Kuvend, ishte pikërisht ky takim.
Kryeziu nuk dha detaje se për çfarë do të diskutohet në këtë takim, i cili nuk ishte paralajmëruar.
“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar Kryeziu.
Vizita e fundit e Lajçakut në Kosovë ishte më nëntë shtator të këtij viti, ku bashkë me këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emmanuel Macon, ishin takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit, Lajçak ishte deklaruar për media, por nuk kishte dhënë detaje në lidhje me diskutimet që ishin bërë për më shumë se dy orë me kryeministrin Kurti.
Lajçak vetëm tha se me Kurtin ka diskutuar për ta sjellë një dinamikë më të madhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Pas këtij takimi, Lajcak dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron kishin shkuar në Serbi për t’u takuar me presidentin Aleksandër Vuçiq.
Përtej Brukselit, dialogu – prioritet edhe në Berlin e Paris