Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar lidhur me lajmin se Policia e Kosovës do të reduktojë praninë e saj me 25 për qind në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, pas takimit me EULEX-in dhe KFOR-in.
Në postimin e tij në rrjetin social, Twitter, ai ka shprehur kënaqësinë e tij për vlerësimin e parë të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe NATO-s, KFOR-it, siç është rënë dakord në Bratislavë.
Ai gjithashtu e ka quajtur këtë hap një progres të rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës.
“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, dhe NATO-s, KFOR-it siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga nesër do të fillojë reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës edhe 25% në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur pasi policia ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in.
Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se nga ky takim i mbajtur është vlerësuar se situata në veri është e mirë.
Tutje thuhet se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.
Policia e ka marrë një hap të tillë edhe në korrik, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në atë pjesë të vendit.
Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.
Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.
Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.