Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka njoftuar se javën e ardhshme do të fillojë përgatitjet për një takim në nivel kryenegociatorësh mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Facebook, Lajçak ka theksuar se javët në vijim pritet të organizojë takimin me kryenegociatorët në Bruksel.
“Këtë javë që vjen, do të fokusohem në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin do të doja ta organizoja në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak.
Dialogu aktualisht është në ngërç, dhe diplomatët perëndimorë paralajmërojnë për rreziqe të tensioneve në veri të Kosovës.
Ndërsa, Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.