I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për ta përgatitur takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut në Bruksel.
Emisari Lajçak ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled në Forumin Strategjik të Bledit këtë vit dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.
Ai ka bërë një përmbledhje të pjesëmarrjes së tij në Forumin Evropian të Alpbachut dhe në Forumin GLOBSEC në Pragë.
Ai ka veçuar takimin me zëvendësndihmësekretarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov në kuadër të forumit global të sigurisë “GLOBSEC 2024”.
Ai ka përmendur edhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me të cilin ka diskutuar për hapat e radhës në dialog.
“Pas pushimeve verore, kanë qenë ditë të ngarkuara me agjendë të ngjeshur në Forumin Evropian Alpbach dhe Forumin GLOBSEC në Pragë, të cilat më lanë me mbresa, frymëzime dhe ide të reja. Këto konferenca shënojnë fillimin e sezonit të vjeshtës dhe ofruan shumë mundësi për t’u lidhur me të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, Evropa Qendrore dhe më gjerë, për të marrë pjesë në panele diskutimesh të hollësishme mbi zgjerimin e BE-së, të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e mbetura dhe të zhvilloj takime të rëndësishme me partnerët e mi nga rajoni, praktikues dhe ekspertë të politikës së jashtme, si dhe miq të dashur. Një moment kryesor ishte takimi me Alexander Kasanof në margjinat e GLOBSEC dhe rikonfirmimi i partneritetit tonë të shkëlqyer. Po aq të rëndësishme ishin takimet e mia me presidentin Vuçiq për hapat e ardhshëm në Dialog”, ka shkruar Lajçak.