Ka përfunduar takimi në mes të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është mbajtur brenda ambienteve të Qeverisë së Kosovës.
Pas takimit, Lajcak tha se janë duke punuar ta gjejnë një zgjidhje në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Ai nuk pranoi të japë detaje të tjera, apo ta komentojë deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili kishte thënë se Lajcak kishte propozuar ide për targa neutrale.
Lajcak u shpreh se BE dhe ShBA, janë në koordinim të plotë ndërmjet vete, sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje përmes dialogut.
Ai theksoi se, BE është shqetësuar nga situata e tensionuar e datës 31 korrik të këtij viti, teksa bëri të ditur se ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia, të mos përsëriten skena të tilla.
“Mesazhi kryesor është se jemi këtu bashkë me Gabriel Esocbarin, fillimisht për të treguar se ka unitet të plotë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së dhe se po punojmë nga afër për normalizimi të marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. E dyta, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar me atë çka pamë më 31 korrik në terren dhe të gjithë presin nga ne negociatorët, por edhe lidership kosovar dhe serb që të mos përsëritet kjo më 31 gusht dhe për këtë jemi këtu”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Escobar tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovës, është që ta shfaqë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Jam këtu për ta mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, në fund të fundit jam këtu për ta mbështetur Kosovën dhe Serbinë, për ta gjetur një rrugë përpara në disa çështje të vështira. Detajet sesi shkojnë përpara, janë për dialog, deshta të sigurohem se vizita ime ishte ta shfaqë mbështetjen time të plotë, për dialogun”, ka deklaruar Escobar.
Escobar deklaroi se të dyja palët, Kosova dhe Serbia e kanë siguruar se nuk dëshirojnë që situata të eskalojë në dhunë me datën një shtator, kur pritet që Qeveria e Kosovës të tentojë ta vendosë reciprocitetin me dokumente idenfitikuese dhe për targa, në veri të Kosovës.