Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pas takimit me presidentin e Serbisë, ka deklaruar se ka shenja pozitive që në takimin e radhës, palët të bien dakord për hapat konkret të ardhshëm.
“Në Beograd u takova me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq dhe drejtorin Petar Petkoviq, për të diskutuar rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes. Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për të rënë dakord për hapat konkretë të ardhshëm”, ka thënë ai.
Një ditë më parë, Lajcak e ka vizituar Kosovën, ku është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kishte një diskutim të rëndësishëm me të, sa i përket draft – statutit të Asociacionit dhe se pret “dakordim” për këtë proces.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka ritheksuar se Kosova është interesuar ta zbatojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.
Tutje, emisari i BE-së ka thënë se palët mund të kenë ose normalizim ose konfrontim, por duhet të fokusohen në normalizim dhe të shmanget çdo eskalim.
Po ashtu, Lajçak ka njoftuar se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, të hënën e 15 majit në Bruksel.