I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, të martën.
Bazuar në njoftimin e KFOR, bëhet e ditur se ata kanë biseduar mbi zhvillimet në vend dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga #NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Miroslav Lajčák, përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe shkëlqesinë e tij, Tomáš Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/ përfaqësues Special i BE-së. Ata diskutuan përditësimin e fundit për situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Lajçak është takuar me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe më vonë, me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Lajçak vjen si përpjekje për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ndërkaq, tensionet në veri nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.