Emisari special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, të mërkurën e 24 gushtit do të qëndrojë për vizitë në Kosovë. Kjo pas kërkesës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero, në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka thënë se arsyeja e vizitës së Lajçak në Kosovë lidhet me avancimin drejt një zgjidhjeje midis dy vendeve fqinje në mënyrë që të shmangen tensionet e reja.
Lajçak, në kuadër të kësaj vizite do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ky takim do të zhvillohet rreth orës 14:00.
Pos presidentes, Lajçak do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, dhe liderët e partive opozitare.
Ndërkohë, Lajçak vizitën e tij dyditore ne Ballkanin Perëndimor do ta vazhdojë edhe në Beograd.
Atje do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq.
Vizita e tij vjen pak ditë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kosovën këtë të martë e vizitoi edhe përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përgjatë takimit me Escobar, ajo ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do të jenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me SHBA-të.
“Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike. Partneriteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor”, ka shkruar Osmani.
Po ashtu, Escobar është takuar edhe me liderët e partive opozitare.