Lajçak thotë se BE ka propozim të ri në dialog, BE nuk e komenton

Paralajmërimet e sllovakut Miroslav Lajçak se Bashkimi Evropian po e përgatit një propozim të ri për Kosovën dhe Serbinë, sipas analistëve politik duhet të merren me rezerva, sepse sllovaku ishte kontradiktor në deklarime. Për propozimin e ri nuk ka pasur komente as nga zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme e as nga Qeveria e Kosovës.

Pamje nga takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuqiç në ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Josep Borell dhe emisarit special të BE-së pë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Bruksel, 18 gusht 2022 (Foto nga arkivi).

Dy ditë para përfundimit të mandatit, emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian është duke e përgatitur një propozim të cilin do t’ia dorëzojë Kosovës dhe Serbisë.

Për ekzistencën e këtij plani, TV Dukagjini e ke pyetur Zëdhënësen e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka kthyer asnjë koment.

Deklarimet e sllovakut Lajçak vëzhguesit e procesit të dialogut bëjnë thirrje që të merren me rezerva, sepse konsiderojnë se ishte kontradiktor në deklarime.

“Në pjesën e fundit të intervistës tha se Brukseli duhet të komunikojë me Uashingtonin për këtë çështje që BE-ja të jetë ajo që do të prijë dhe SHBA t’i shkojnë pas. Do të thotë edhe nëse ekziston një plan ai nuk është i koordinuar dhe harmonizuar me SHBA-në këtë e tha edhe ai vetë”, ka thënë analisti Melazim Koci.

Edhe nëse shmanget kjo kundërthënie, sipas Kocit, BE-ja nuk ka se çfarë të ofrojë, kjo edhe me fajin e sllovakut Lajçak.

“Pres që në periudhën e ardhshme jo shumë shpejt që SHBA të dalin me një plan i cili nuk do të jetë i harmonizuar ose i koordinuar me BE-në, BE do të margjinalizohet, dhe ai do të jetë plan i SHBA-së ku do t’i ofrohet në formë ultimative Serbisë dhe Kosovës, pa shumë hapësirë për negociata siç ka ndodhur me planin franko-gjerman”, ka shtuar Koci.

Lidhur me këtë plan, gjatë ditës nuk ka dhënë koment as Klisman Kadiu, këshilltar i kryenegociatorit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Shija e redaktorit

Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Nën intonimin e himnit të Kosovës është bë hapja zyrtare e ceremonisë së diplomimit të 462 kadetëve të Policisë së Kosovës të gjeneratës së...

Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të...

Sot (e premte) në sallën “1 Tetori” në Prishtinë do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës. Nga ora...

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Të fundit nga rubrika