Gjatë kësaj të premte, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se përgjatë takimit është theksuar se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Ai falënderoi z. Lajčák, si dhe këshilltarët z.Plötner dhe z.Bonne për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Zyra e Kryeministrit.
Pas takimit, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka reaguar me anë të një postimi në Twitter.
Lajçak ka thënë se së bashku me këshilltarët e lartë të politikës së jashtme të Presidentit francez dhe kancelares gjermane, ka pasur diskutime të rëndësishme të thelluara me liderin e Kosovës dhe atij të Serbisë.
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka shtuar se me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë biseduar për të eksploruar opsionet për përparim në dialog.
Njëherësh, ai tregoi se procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Sot, së bashku me këshilltarët e lartë të politikës së jashtme të Presidentit francez dhe kancelares gjermane, pata diskutime të rëndësishme të thelluara me Kryeministrin @albinkurti dhe @predsednikrs @avucic për të eksploruar opsionet për përparim në dialog. Procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, tha Miroslav Lajçak në Twitter.