Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në vazhdën e takimeve me temë diskutimi për situatën në veri të Kosovës, është takuar me zëvendëskëshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Jon Finer, dhe drejtoreshën e lartë për Evropën, Amanda Sloat.
Emisari i BE-së ka bërë të ditur se edhe në këtë takim është biseduar për hapat e nevojshëm për deeskalim të situatës dhe rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Një takim shumë i dobishëm me Zëvendëskëshilltarin Kryesor për Siguri Kombëtare të ShBA-së, Jon Finer dhe Drejtoreshën e Lartë për Evropë, Amanda Sloat për situatën në veri të Kosovës, hapat e nevojshëm për deeskalim dhe rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga Evropa”, ka shkruar Lajçak.
Very useful meeting with 🇺🇸 Principal Deputy National Security Adviser Jon Finer and Senior Director for Europe Amanda Sloat on the situation in the north of Kosovo, steps needed for de-escalation and the way forward in the 🇪🇺-facilitated Dialogue.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 21, 2023
Ndryshe, të martën, Lajçak është takuar me nënsekretaren e Shtetit amerikan për çështje politike dhe diplomaten, Victoria Nuland.
Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak ka bërë të ditur se situata në veri të Kosovë ishte temë diskutimi në takim dhe se palët ranë dakord për rëndësinë e depërshkallëzimit të menjëhershëm të situatës.
“Pata një bisedë shumë të këndshme me @UnderSecStateP Victoria Nuland. Ndamë të njëjtin vlerësim për situatën në veri të Kosovës dhe për mënyrën e daljes nga ajo. Ramë dakord për rëndësinë e depërshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji.
Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe.
Lajçak takon nënsekretaren amerikane, ritheksojnë nevojën për deeskalim të situatës në veri