Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak është takuar me Presidenten, Vjosa Osmani në Turqi në kuadër të margjinave të ADF2024.
Këtë e ka bërë të ditur, vet Lajçaku përmes një postimi në rrjetin social ‘X’.
Zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimi i fundit Kosovë-Serbi në Bruksel, kanë qenë temë diskutimi në mes të presidentes Osmani dhe emisarit Lajçak.
Osmani e Lajçaku janë takuar në Antalia të premten, në kuadër të Forumit Diplomatik.
Në Twitter, Lajçaku e ka cilësuar të dobishme bisedën me Osmanin.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimin e fundit që e mbajtëm në Bruksel”, ka shkruar ai.
Ditë më parë në Bruksel, Lajçaku u takua me përfaqësues financiarë të Kosovës dhe të Serbisë për të diskutuar për çështjen e Rregullores së Kosovës për paratë e gatshme, që përjashton dinarin serb.
Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars.
Appreciated the useful conversation with @VjosaOsmaniPRKS in the margins of #ADF2024. We spoke about the latest developments in the Dialogue, in particular elections in the north of Kosovo and the recent meeting I hosted in Brussels. pic.twitter.com/J4wDUVhyUZ
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 1, 2024