Kjo fushatë ka për qëllim që të adresoj nevojat urgjente të fëmijëve me diabet të tipit 1 në Kosovë. Në Kosovë, çdo vit, rreth 40 foshnja lindin me diabet të tipit 1. Këto foshnja marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Aktualisht, në Klinikën Pediatrike trajtohen rreth 500 fëmijë me diabet, për të cilët klinika nuk mund t’i plotësojë tërësisht nevojat e tyre. Në përgjigje të kësaj situate, AMC po mobilizon përpjekjet e saj për të përmirësuar këto kushte për pacientët e rinj.
Deri më tani AMC-ja ka siguruar medikamente për hiperkolesterolemi dhe diabet për QKUK në vlerë prej 160,000 Euro.
Fushata e ndërgjegjësimit për diabetin, në partneritet me Korporatën Rugove, është një komponent kyç i këtyre përpjekjeve, pasi që kjo fushatë synon të mbledhë rreth 10,000 Euro nga shitja e 1 milion shisheve të ujit, secila duke kontribuar me 1 cent drejt kauzës.
Këto fonde, së bashku me fondet e mbledhura nga edicioni i 8-të Let’s Dance, do të sigurojnë blerjen e pajisjeve mjekësore bashkë me materialet shpenzuese për kontrollimin e niveleve të glukozës dhe menaxhimin e diabetit për një numër të fëmijëve që aktualisht po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë. Prej më shumë se një dekade, AMC ka ndihmuar në uljen e normave të vdekshmërisë së foshnjave dhe sëmundshmërisë së nënave në Kosovë. Kjo është arritur falë projekteve dhe programeve të shumta me donatorë vendorë e ndërkombëtarë.
Për më tepër, fushata do të financojë krijimin e një dhome edukuese në Klinikën së Pediatrisë, ku fëmijët me diabet dhe familjet e tyre do të mund të marrin këshilla rreth praktikave më të mira dhe të shëndetshme për të menaxhuar diabetin dhe për të rritur kështu cilësinë e jetës.
Kjo nismë synon të rrisë ndjeshëm cilësinë e jetës për këta fëmijë dhe familjet e tyre, duke i fuqizuar ata për të jetuar një jetë më të shëndetshme dhe më të përmbushur pavarësisht sfidave të diabetit.