Serbët lokalë kanë nisur që t’i largojnë barrikadat në Rudar të Zveçanit, pas 20 ditësh bllokim të rrugëve dhe pengim të lëvizjes të lirë.
Në vendin e ngjarjes ku po qëndron edhe një ekip i RTV Dukagjinit, janë parë disa persona të maskuar afër hapësirave nga ku po largohen kamionët barrikadues në Rudar.
Ndryshe, që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Ndërkaq më 28 dhjetor, autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak për Dejan Pantiq.
Pas kësaj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.