Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i pakënaqur me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për komunën që ai drejton.
Në një intervistë për kp, Latifi ka thënë se ekzekutivi i ka diskriminuar qytetarët rahovecianë, duke i larguar nga buxheti i vitit 2023, projektet e reja që janë jetike për këtë komunë.
Ai për këtë vit, ka premtuar një program të pasur me projekte të rëndësishme për qytetarët e kësaj komune.
Latifi është shprehur se edhe përkundër mungesës së mbështetjes nga Qeveria Kurti dhe krizës globale, kanë arritur të shpenzojnë 90% të buxhetit të tyre që e kishin në dispozicion për vitin 2022.
Ai ka treguar se për vitin 2023, kanë një program të begatshëm, ku shtylla kryesore është mbështetja për sektorin e bujqësisë.
Latifi i ka përmendur edhe disa nga projektet kryesore që i synon t’i jetësojë gjatë këtij viti.
“Ne do të kemi aktivitet intensiv në zbatimin e projektit të sheshit qendror që është projekti më i madh, do të angazhohemi që të kemi situatë gjithnjë e më pozitive në trajtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve fushore për bujqësi, do të kemi rezultate të dukshme në vazhdimin ose në zbatimit e projektit të depos bujqësore, do ta kemi të gatshëm tregun e madh të rrushit, aty ku mbahet festivali i rrushit ‘HardhFest’… Do të kemi, po ashtu, edhe investime në trajtimin e ujërave të zeza dhe ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza në pikat e ulëta, bie fjala në Krushë të Madhe, Xërxë, Malësisë të madhe, Gexhës, Dejnit, Çifllakut, sepse janë zona ku janë pika të ulëta”.
“Kemi planifikuar edhe ndërtimin e gropave septike, të cilat janë të standardeve të larta e që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza. Do të kemi mbështetje për fermerët tanë me serra, madje do të hymë në vitin 2023 edhe me impute bujqësore me fara, me plehra kimikë dhe pesticide. Ne kemi një program të begatshëm edhe për vitin 2023. Ajo që ka ndodhur këtë vit, do të rritet do të kemi edhe mbështetje në produkte të reja”, ka theksuar Latifi.
Latifi ka thënë se Qeveria e Kosovës në buxhetin për këtë vit, ka larguar projekte të rëndësishme për komunën që ai e udhëheq, sidomos atë për trajtimin e ujërave të zeza, teksa kërkoi mbështetje nga Qeveria dhe Ministritë përkatëse, për ndërtimin e sheshit qendror të qytetit.
“Projekte të reja kemi zero nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq edhe në projektet që ishin në vazhdimësi, kemi largim të kodeve ose heqjeve të projekteve. Besoj se nuk e nderon askënd largimi i kodeve dhe projekteve që i ke financuar vetë. Le të shpresojmë që janë gabime teknike. Kërkojmë projekte të reja. Unë kërkoj direkt përkrahje për sheshin qendror të qytetit, direkt kërkoj përkrahje për Qendrën Multifunksionale për Kulturë, Art dhe Inovacion, e cila tash është në fazën e hartimit të planit”.
“Ne jemi të pakënaqur në qasjen që ka e qeveria në raport me komunën e Rahovecit nga pikëpamja e përkrahjes, pra nuk kemi përkrahje me projekte të reja absolutisht dhe madje kemi vërejtje serioze edhe projekte që financohen nga ministritë e linjës dhe Qeveria e Kosovës janë larguar”, ka vijuar Latifi.
Si projekt të rëndësishëm që do t’i sillte përfitime ekonomike komunës që ai drejton, Latifi ka përmendur zonën ekonomike në Opterushë.
“Zona ekonomike në Opterushë për fat të mirë që ka filluar investimi, është nënshkruar memorandumi dhe ka filluar procedura e prokurimit nga ana e Ministrisë, ku komuna e ka hisen e vet në pjesëmarrje financiare dhe MINT e ka pjesën e vet të financave dhe shpresojmë që të kemi sa më shpejt kontratë dhe të fillojë ndërtimi i zonës industriale ekonomike, parkut të bizneseve në Opterushë diku 35 hektarë dhe përgatitja e kësaj zone dhe aftësimi i kësaj zone për t’u vendosur subjektet ekonomike, biznese vendore dhe të huaja, në mënyrë që e gjithë kjo zonë të jetë një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e përparuar të ekonomisë së Rahovecit”./ksp