Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Për zëdhënsen e kësaj partie opozitare, Sibel Halimi, pas kapjes së shumicës së institucioneve, qeveria po pretendon t’i kap edhe institucionet e pavarura, teksa i ka quajtur shqtësuese tendencat e qeverisë për të anashkaluar Komisionin e Venecias.
“Anashkalimi i Komisionit të Venecias me qëllim të vazhdimit të kapjes së institucioneve dhe shkelja e Kushtetutës për përfitim elektoral është ngufatje për demokracinë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili ka thënë se me pretekstin për ç’ kapje, qeveria po mundohet t’i kap institucionet e drejtësisë.
“Shqetësim është se si po provohet që rekomandimet e Komisionit të Venecias të shfrytëzohen për legjitimim të qëllimeve jo të mira të institucioneve të Kosovës. Marrim projektligjin për Këshillin Prokurorial. Qeveria e ka dërguar në Komisionin e Venecias, dhe akoma pa e përfunduar ky komision punën e vet, qeveria e ka proceduar në Kuvend. Ne e shohim si tendencë për keqpërdorim”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky dokument duhet të tërhiqet pasi përmbajtja e tij është klasike për kapjen e këtij institucioni.
“LDK-ja shpreh shqetësimin e saj për formën se si ka shkuar ky proces deri më sot pa përpjekje për një konsensus politik. Kanë vendosur që ta dërgojnë një koncept dokument e draft komentet që vijnë nga komisioni i Venecias flasin për probleme serioze”, ka thënë ai.
Ndryshe, Komisioni i Venecias më nëntë mars të vitit 2022, ka lëshuar draft-opinion, lidhur me versionin e ridërguar të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas këtij draft-opinioni, propozimi për ndryshimin e përbërjes së caktuar të Këshillit Prokurorial nga 13 në shtatë anëtarë nuk cenon standardet ndërkombëtare.
“Në këtë përbërje shtatë anëtarësh do të jenë Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë të zgjedhur nga ana e prokurorisë themelore, të Apelit dhe Speciale, si dhe tre anëtarë jo prokurorë – dy të zgjedhur nga Kuvendi dhe një i caktuar nga Avokati i Popullit”.
Po ashtu, draft-opinioni i Komisionit të Venecias potencon se projektligji ka adresuar komentet e këtij komisioni lidhur me shkurtimin e mandatit të shumicës së anëtarëve aktualë të Këshillit, duke mundësuar që nga nëntë anëtarë aktualë tre prej tyre të vazhdojnë mandatin e tyre ligjor.
Sipas Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara në këtë Projektligj paraqesin progres të qartë dhe përmbajtjesor krahasuar me Projektligjin që ishte dërguar në Komisionin e Venecias për herë të parë në fund të vitit 2021.