Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka akuzuar Qeverinë për “shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës” duke theksuar se e ka kthyer këtë në normalitet.
Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, ka thënë se përveç shkeljeve, Qeveria po merr “vendime të dëmshme” në vazhdimësi.
“Shkelja e ligjeve dhe Kushtetutës gjatë këtij pushteti e nga ky pushtet ka kaluar në normalitet. Shkel mbi shtetin vetëm për pushtetin. Më shumë se shkeljet është padituria e kësaj Qeverie. Ashtu siç janë shkeljet kushtetuese në vazhdimësi, janë edhe tërheqjet dhe vendimet e dëmshme në vazhdimësi.. Kjo tërheqje shihet si një lojë e ndyrë e Kurtit në raport më dështimin e tij në procesin e dialogut dhe rënien e tij në grackën e Vuçiqit”, ka thënë Zemaj.
Kurse, Shkëmb Manaj nga LDK ka theksuar se Qeveria po merr “kartona të kuq” çdo ditë për secilën fushë.
Sipas tij, zyrtarët publikë gjenden në presion nga partia në pushtet.
“Sot lajm do të ishte nëse ky pushtet nuk shkel ligje dhe Kushtetutë. Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga shkeljet kushtetuese. Në vend se me u largu, ata mbrohen. Dje Gjykata Kushtetuese i dha një karton të kuq pushtetit absolut. Zyrtarët Publikë në secilin institucion janë në presion të madh nga partia në pushtet. Shumica e pozitave të larta drejtuese po funksionojnë me ushtrues detyre”, ka thënë Manaj.
Ndryshe, të enjten, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që Ligji për Zyrtarët Publikë t’i dërgohet presidentes së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës.
Ligji për Zyrtarët Publikë, Gjykata Kushtetuese kërkon të ndryshohen disa nene