Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në qytetin e Malishevës prezantoi zotimet kryesore të programit të tij politik “Rruga e Re.”
Tubimi, i cili përkoi edhe me 35-vjetorin e themelimit të degës së LDK-së në këtë qytet, u karakterizua nga pjesëmarrje masive dhe entuziazëm qytetar.
Abdixhiku premtoi investime të mëdha në sektorët kyç të vendit duke theksuar planin e tij për të alokuar 5 miliardë euro brenda katër viteve të ardhshme.
“Pjesëmarrje masive, entuziazëm, dhe besim i madh qytetar! Festë që sonte u bë edhe më e veçantë falë manifestimit të 35 vjetorit të themelimit të degës sonë atje.
Lidhja Demokratike e Kosoves është ngritur në këmbë, dhe me ne është ngritur e tërë Kosova. Në çdo anë të vendit po jehon fort thirrja e madhe popullore për ndryshim!
Siç bëjmë në çdo tubim, edhe në Malishevë folëm për projekte madhore e për zgjidhje konkrete. Folëm për të ardhmen, dhe për ‘Rrugën e Re’!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndër premtimet e tij kryesore ishte edhe mbështetja për pensionistët, përfshirë rritjen e pensioneve për 36.2% dhe sigurimin e barnave falas. Abdixhiku theksoi se qeveria e tij do të kujdeset për këtë kategori të shoqërisë duke i trajtuar ata si pjesë fisnike dhe me dinjitet.
“Do t’i investojmë 5 miliardë euro në katër vite për ta transformuar infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe energjinë e Kosovës, dhe për ta ringjallur ekonominë tonë!
Do të krijojmë programe specifike për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë me qasje më të lehtë në financim dhe teknologji moderne.
Do t’i realizojmë të gjitha projektet tona zhvillimore dhe do ta bëjmë vendin tonë krenar!
Sepse kjo tashmë nuk është vetëm një fushatë – është ëndrra jonë e madhe për Kosovën që do ta ndërtojmë bashkë!
Fatmir, përgëzime për këtë organizim madhështor! Suksese edhe kandidatëve tanë nga Malisheva Fatmir Ademaj, Fetah Rudi, dhe Fatmir Kastrati.
Ndryshimin do ta bëjmë bashkë – me 9 shkurt!”, ka shtuar Abdixhiku në Facebook.