LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj

Ishte deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ai i cili gjatë seancës plenare të Kuvendit, kishte paralajmëruar dorëzimin e një kallëzimi penal ndaj ambasadorit Berishaj. Këtë të fundit e realizoi të premten përkrah deputetit Besian Mustafa

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar në Zyrat e Prokurorisë Speciale, kallëzimin penal ndaj ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në fjalën e tij për media, Selmanaj ka thënë se situata të tilla si ajo e Berishajt nuk tolerohen.

“Bashkë me kolegun tim Besian Mustafa dorëzuam në Prokurorinë Speciale të Prokurorisë së Kosovës një denoncim apo të themi kallëzimin penal rreth dëshmisë jo të saktë dhe jo të vërtetë që zotëri Martin Berishaj, ambasadori Martin Berishaj e ka bërë para këtij Komisioni me datë 17 nëntor kur është intervistuar në Komisionin Hetimor. Prandaj, me qëllim që të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, të mbrojmë dinjitetin e kësaj Republike ne nuk mund të tolerojmë situata kur vjen një ambasador dhe vjen një dëshmitar dhe gënjen para Komisionit, nuk i tha të vërtetat përkundër që është i informuar paraprakisht për pasojat ligjore dhe penale që mund t’i ketë”, ka thënë  Selmanaj.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të enjten, Selmanaj ka thënë se kallëzimin ndaj tij do ta bëjë në cilësinë e kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, pasi siç është shprehur ai, Berishaj ka gënjyer gjatë raportimit në komision.

“Çka është ky zell për ta mbrojtur Martin Berishajn, kur ai ka gënjyer në komision. Ai na ka gënjyer në sy. Prandaj, unë në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni kam detyrim, edhe si parti politike kemi diskutuar, ta procedoj kallëzimin penal nesër për këtë person, në cilësinë e kryesuesit të komisionit parlamentar, sepse gënjeshtra nuk mund të kalojë”, ka thënë Selmanaj, të enjten.

Ndonëse shkarkimi i tij u kërkua, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se shkarkimi i Berishajt nuk mund të bëhet pa ndonjë arsye faktike.

“Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale – ai shkarkohet kur ka arsye faktike. Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, kishte deklaruar Gërvalla.

Ndryshe, më 22 prill, Presidenca e Kosovës kishte kërkuar raport me shkrim nga ambasadori Berishaj, për pretendimet mediale të përfshirjes së tij në një skandal të madh financiar si sekser për Robert Golob, politikanin slloven.

Ky skandal ishte raportuar nga “Planet TV” të Sllovenisë, ku sipas këtij mediumi, kompania private konsulente në Mal të Zi, “MB Consulting”, e Berishajt, po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të transferimeve të parave nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven (GEN-I).

“MB Consulting” kishte tërhequr para të gatshme rreth 600 mijë euro, të cilat, më pas i kishte bartur te politikani slloven.

Ndërkohë, Berishaj i kishte mohuar këto raportime, njëkohësisht kishte paralajmëruar padi për mediumin në fjalë.

Ndërsa, në konferencën për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte dalë në mbrojtje Berishajt, duke thënë “ne i besojmë fjalëve të tij deri sa të ketë diçka konkrete nga institucionet e drejtësisë” mirëpo, Zyra e Presidencës kishte konfirmuar se ka ftuar ambasadorin Berishaj në Kosovë për ta sqaruar situatën.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika